Me ngjarje të ndryshme kulturore do të përmbyllet edhe kjo javë e muajit mars, në vendin tonë.
– Përmes një koleksioni pikturash të mëdha të punuara me ngjyrë të zezë, akrilik dhe ngjyra të shtëpive, Intertitles përçon tensionin mes mungesës dhe të menjëhershmes. Fraza ‘Intertitles’, për herë të parë u prezantua në periudhën e filmave pa zë dhe i referohet një fjale ose një grup-fjalësh të cilat shfaqen në ekran gjatë filmit, por që nuk janë pjesë e skenës. Kjo ngjarje organizohet nga Bekim Zeqiri dhe do të realizohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sot me datën 23 mars.
– NøMad, është projekt i ri muzikor nga muzikanti zviceran Christophe Meyer. Projekti NøMad u regjistrua në bashkëpunim me disa muzikantë, duke përfshirë edhe Clive Deamer, bateristin e Portishead dhe Radiohead. Sot, me datën 23 mars, Kristof do të performojë në Kinemanë Jusuf Gërvalla gjatë javës frankofone, nga ora 20:00 për një performancë fantastike të shoqëruar me birrë zvicerane. Hyrja është falas! Kjo ngjarje mundësohet nga Ambasada Zvicerane.
– Këtë të premte (24.03.23), Kolektivi Feminist shënon katër vjetorin e themelimit, me botimin e vëllimit të parë të Përkthimeve Feministe. Ky event, realizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.
– Me rastin e Javës së Frankofonisë , Ambasada Franceze në Kosovë ka kënaqësinë të ju ftojë në shfaqjen e filmit përmbyllës, “Ouistreham” (2022) me regji nga Emmanuel Carrere. Përmbyllja e Javës së Frankofonisë do të bëhet në Kino ARMATA, të dielën, 26 mars 2023, nga ora 19:00h. Hyrja është falas.
Këto, janë vetëm disa nga aktivitetet që pritet të zhvillohet përgjatë kësaj jave, në Kosovë.