Çdo ditë kemi mundësi të shijojmë teatër, shfaqje filmash, evente muzikore dhe galeri arti. Ngjarje të ndryshme kulturore po vazhdojnë të mbahen edhe këtë javë në vendin tonë. Për fansat e skenës dhe teatrit sot (03.11.22), në teatrin “Faruk Begolli” të Universitetit AAB, do të jepet shfaqja “Bretkosa”. Një projekt me regji të Burbuqe Berishës, e cila ndërroi jetë vitin e kaluar (2021). Në shfaqjen në fjalë luajnë aktorët e mirënjohur: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi.
Fansat e muzikës do ta kenë një javë të ngjeshur, duke filluar nga nesër (04.11.22), ku në orën 13:00 në ambientet e KINO ARMATA, do të performojnë Agenda for Hope, një grup muzikantësh që do të bëjnë hapjen e Prishtina Music Conference.
Të pasionuarit e artit, ftohen në hapjen e ekspozitës personale të autorit Jeton Gusia “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, në Galerinë e Arteve të Kosovës. Të martën tjetër (08.11.22) me fillim nga ora 19:00, mund të shijoni një ekspozitë të kuruar nga, Blerta Hoçia.
Për fansat e muzikës elektronike, klubi më i ri në kryeqytet, Ensomnia, mirëpret Quenum, një prej pionierëve të kësaj muzike, që do të argëtojnë publikun vendor.