Muaji maj po duket i mbushur me aktivitete të shumta kulturore, ku të gjithë artdashësit do të gjejnë veten në ngjarje të shijeve të ndryshme kulturore me shfaqje baleti, filma, koncerte të muzikës klasike dhe forma të tjera të artit.
Radio KFOR-i më poshtë lajmit ju sjellë disa prej ngjarjeve më interesante që mund ti frekuentoni në ditët në vazhdim:
Baleti Kombëtar i Kosovës, sot (13.05.22) me fillim nga ora 20:00, do të jap shfaqjen “Carmen”. Një shfaqje e realizuar me koreografi të Natalia Osipova, ku asistentë do të jenë Jeta Musolli dhe Kreshnik Musolli. Shfaqja “Carmen” do të realizohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Për ju prindër që doni ti shihni fëmijët tuaj më afër pikturës, nesër (14.05.22), nga ora 13:00, në hapësirat e qendrës Termokiss, do të organizohet eventi “Pikturojmë Bashkë”, një punëtori e cila fokusohet në ilustrime dhe vizatime duke përdorur vetëm gishtat dhe ngjyra të ndryshme. Kjo punëtori artistike do të organizohet nga znj. Drita Nokaj.
Në kuadër të festivalit “Chopin Piano Fest”, këtë të shtunë (14.05.22) do të keni mundësi të shijoni performancën e Ansamblit Goffriller, një grup muzikantësh të cilët janë anëtarë të stafit mësimor në Konservatorin Vincenzo Bellini, në Katania. Ky koncert do të mbahet në hapësirat e Amfiteatrit të ri të Bibliotekës Universitare, me fillim nga ora 19:00.
Për fansat e filmit gjithashtu ka mundësi të shumta, në hapësirat e Kino Armata, të shtunën (14.05.22) do të jepet shfaqja e parë speciale në Prishtinë, e filmit të shkurtër “Four Pills at Night”, një projekt me regji nga Leart Rama dhe producente Nita Deda. Filmi do të shfaqet nga ora 20:00, kurse pas shfaqjes së filmit do të keni mundësi për bashkëbisedim të shkurtër me regjisorin dhe producenten e filmit.