Çdo 18 maj, që na viti 1977, i është ndarë shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Muzeve’. Tema e këtij viti është “Muzetë si Qendra kulturore: E ardhmja e Traditës”. Këtë datë, një ditë më herët po e shënon edhe Muzeu i Kosovës. Është organizatorja e aktiviteteve në Muzeun e Kosovës, Znj. Dafina Morina, e cila për Radio KFOR-in, tregoi për agjendën e pasur që ka muzeu në ditën e sotme:
“Muzeu Kombëtar i Kosovës, në bashkëpunim me Universitetin e Prishinës, me degën e Antropologjisë dhe Etnologjisë këtë vit ka vendosur që ta shënoj ‘Ditën Ndërkombëtare të Muzeve’, me aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim me i eduku fëmijët për artin tradicional të shprehur në zeje të ndryshme. Disa prej zejeve që kanë përzgjedhë sot me u demonstru janë poçaria, e gjithashtu punëdore me vek edhe me grep e gjilpërë. Do të ketë zejtarë që do të demonstrojnë punën gjatë tërë ditës, por edhe fëmijë pjesëmarrës dhe çdo vizitorë tjetër do të ketë mundësi me i pa se si kanë punu në të kaluarën”.
Përveç zejeve, në Muzeun e Kosovës, do të ketë edhe një laramani aktivitetetesh për të gjitha moshat, ku ndër të tjera fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë për lokalitetet e ndryshme arkeologjike përmes lojës puzzle si dhe për aktivitete reciklimi, si pjesë e rëndësishme e mjedisit.