Kosova po përballet me një situatë gjithnjë e më shqetësuese në komunikacion, ku statistikat e publikuara nga Policia e Kosovës, për periudhën janar-nëntor, tregojnë se viti 2025, ka shënuar rritje në pothuajse të gjitha kategoritë e aksidenteve, duke konfirmuar nevojën urgjente për kujdes më të madh dhe zbatim më rigoroz të rregullave të trafikut.
Aksidentet me pasoja fatale janë rritur nga 84 në vitin 2024, në 90 gjatë vitit 2025. Po ashtu, numri i viktimave është shtuar nga 92 në 101, që përbën një rritje prej 9.78%.
Aksidentet me lëndime janë rritur në 8.056 nga 7.426 një vit më parë, ndërsa numri i personave të lënduar ka arritur në 15.386, që është 10.14% më shumë se në vitin 2024.
Aksidentet me dëme materiale kanë kaluar nga 12.990 në 13.752, ndërsa numri total i aksidenteve në vend ka arritur në 21.898, duke shënuar një rritje prej 6.82% krahasuar me vitin paraprak.
Me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë, Policia ka intensifikuar kontrollet, duke shqiptuar 715.723 tiketa gjatë vitit 2025, krahasuar me 675.344 në vitin 2024, një rritje prej 5.98%.
Jetën nuk e kthen askush pas, prandaj të vozisim me kujdes dhe të bëhemi arsyeja që të gjithë të kthehemi të sigurt në shtëpi!







