Rëndësia e imazhit tonë theksohet, plotësohet, e madje edhe ndryshohet përmes aksesorëve. Aksesorët, në fakt, janë plotësimi i secilit stil të veshjes sot dhe rrallë mund të takojmë dikë që nuk bartë të paktën një të tillë. E shumë të shprehur sot, janë aksesorët punëdore, si një nga modelet më unike të këtij detaji që duhet të jetë prezent çdo ditë në veshjen tonë. Duke ditur rëndësinë dhe kërkesën e madhe për aksesorë gjatë verës, Radio KFOR-i ka intervistuar themeluesen e ‘V☘HANDMADE’, znj. Valtida Shukriun, e cila ka tregoi se cilat janë trendet e aksesorëve sivjet dhe cilat ngjyra po preferohen: “Edhe në Kosovë është prezent trendi ndërkombëtarë, sa i përket dizajnit të aksesorëve. Sivjet gjithashtu ka vazhduar trendi i mbajtjes së disa aksesorëve në qafë, pra jo vetëm një zinxhir, por me qenë një kombinim mes zinxhirëve, rruazave dhe disa dizajnëve të ndryshme, si fije lëkure të holla, e sa i përket ngjyrave, janë ngjyra verore dhe një përzierje shumëngjyrëshe. Zakonisht preferohen ngjyra rozë, e gjelbër, e verdha që ngjanë me ngjyrën e fosforit, e verdhë urbane, dhe tek-tuk janë aksesorë që mbahen me disa detaje të vogla ose me simbole të cilat sjellin fat, pra që identifikohen si shenja të fatit. Pastaj, preferohen gurë të ndryshëm por edhe rruazat të vogla shumëngjyrëshe.”
Aksesorët punëdore janë unik dhe një ndër dhuratat më të bukura që mund t’ia bëni më të dashurve tuaj: “Është unike sepse ato janë të dedikuara për personin e caktuar dhe personi që e blen aksesorin punëdore, është unik, sepse krijohet veçanërisht për të, është model i dizajnuar përkitazi me kërkesën e klientit dhe model i veçantë që do ta ketë vetëm një person, pra nuk mund të ketë kopje apo shumëfishim të aksesorit. Për këtë edhe identifikohet produkti punëdore, pasi çdo klient përcaktohet për shijen e aksesorit, qoftë për modelin, dizajnin apo materialin. Dhe vet fakti që një punim dore, nuk mund të jetë i përsëritur, e bënë atë unik pasi nuk mund të ketë edhe një të dytë, pasi puna e dorës nuk mundet me u përsëritë në modelin e dytë edhe nëse e kërkon tregu edhe nëse mundohesh përsëri me e realizua të njëjtin produkt, kurrë nuk mundsh me e realizua ashtu siç e ke bërë të parin”, tha znj. Shukriu, duke shtuar se mundësi të shumta për aksesorë punëdore u ofron klientëve, pasi përveç modelit, klientët mund të zgjedhin materialin me të cilën e duan aksesorin e tyre dhe të shtojnë edhe detaje të tjera, si iniciale apo simbole.