Energji e ripërtëritshme, është energjia që fitohet nga resurse të ndryshme natyrore dhe ka për synim të jetë sa më e pastër si dhe sa më pak e dëmshme për mjedisin jetësor.
Ndryshimet klimatike dhe ajri i ndotur tejskajshmërisht, kanë një emrërues të përbashkët dhe është fjala për emetimin e karbonit nga stacionet e energjisë. Pikërisht kjo ka bërë botën sot, që të kthejnë kokën tek zgjidhje të tjera. Këtu padyshim hyn energjia e ripërtërishme e cila numëron shumë të mira. Kështu mendon edhe dëgjuesi Drini, i cili për Radio KFOR-in tha: “Energjia e ripërtëritshme i ka disa të mira, e më e rëndësishmja është sepse është energji që vjen nga burimet natyrore.” Ndërsa dëgjuesja, Kujtesa, numëroi anët pozitive dhe negative të energjisë së ripërtëritshme: “Energjia e ripërtëritshme ka përparësitë dhe të metat e saj. Sa i përketë përparësive e kam fjalën për aspektin shëndetësor, marr parasysht që është energji e cila prodhohet dhe nuk liron gazëra, ndërsa të metë të saj do të kisha thënë që funksionimi i saj varet nga kushtete klimatike.” Mirëpo, dëgjuesja tjetër, Vlera, energjinë e ripërtërishtme e sheh si ‘shpëtim’ nga faturat e shtrenjta të energjisë ekektrike: “Duke marr parasysh çmimet e shtrenjta të faturave të energjisë elektrike, mendoj që energjia e ripërtëritshme do të duhej të ishte zgjidhja për një të ardhme të afërt.”
Krahas vendeve të shumta, Grupi i Bankës Botërore edhe Kosovën e ka parë si vend me burime të shumta të energjisë së ripërtëritshme. Që nga viti 2013, Banka Botërore është duke e mbështetur Kosovën me anë të Projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme në Kosovë, në vlerë prej 31 milionë dollarëve, projket ky i cili synon ta reduktojë konsumin e energjisë dhe përdorimin e karburanteve fosile në ndërtesat publike.