13 gushti, në kalendarin e ditëve të shënuara, i është ndarë kremtimit të “Ditës Ndërkombëtare të Mëngjarashit”. Mëngjarash, konsiderohen njerëz të veçantë dhe bota sot njeh shumë këngëtarë të spikatur që kanë qenë e janë mëngjarashë. Multi-instrumentisti i rock bendit legjendarë, The Beatles dhe njëherit vokalisti, Paul McCartney, është mëngjarash. Madje ai në një intervistë të realizuar në vitin 1993, kishte treguar përparësitë e të qenit njeri që veprimet i kryen me gjymtyrët e anës së majtë apo majtak. Një emër tjetër i madh në muzikë, është këngëtari Phil Collins. Si një basist, ai madje ka vendosur pajisjen e tij të baterive sipas nevojave të tij, e në performancat e dikurshme, teknikat e tij të luajtjes me shkopinj në daulle, zakonisht prezantoheshin dhe udhëhiqeshin nga dora e majtë. Sot, për shkak të dëmtimit të nervit të dorës, Collins nuk i bie më baterive, mirëpo është një këngëtar, që me vokalin e tij ka prodhuar perla muzikore. Në listën e mëngjarashëve të famshëm, e gjejmë edhe yllin, Kurt Cubain. Në të vërtetë ai ka qenë djathtak, mirëpo në shumë performanca me bendin e tij, Nirvana, ai ka luajtur në kitarë me dorën e majtë, e megjithëse nuk është konfirmuar asnjëherë, këtë veprim ai e ka bërë për të inkurajuar njerëzit majtak.