Qendra e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në bashkëpunim me ‘Innovation Center Kosovo’, duke u bazuar në aksidentet e shumta rrugore në vend, me 2 tetor kanë organizuar fushatën për të ‘Dhuruar Gjak’, për të aksidentuarit në Kosovë.
Menaxherja për promovim dhe organizim të dhurimit të gjakut në Qendrën e Kosovës për Transfuzion të Gjakut, Albana Gashi, në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi për idenë e këtij organizimi:
“Duke parë aksidentet e shumta në komunikacion, kemi organizuar aksionin e dhurimit të gjakut për të aksidentuarit në komunikacion. Ne kemi vendosur që në këtë ditë të mundohemi të vetëdijësojmë qytetarët, që të jenë më të kujdesshëm në komunikacion dhe t’i ndihmojmë të aksidentuarve që kanë nevojë për gjak”.
Gashi më tej tregoi për aktivitetet e shumta që organizon Qendra për Transfuzion të Gjakut, duke theksuar se kërkesa për gjak është jashtëzakonisht e madhe por edhe përkrahja nga qytetarët është aktive.
Për fund Albana tha se ju janë mirënjohës ushtarëve të KFOR-in për dhurimin e vazhdueshëm të gjakut dhe falenderuan Radio KFOR-in për përkrahjen mediale.