Në një kohë kur trajtimet estetike janë bërë pjesë e diskutimeve të përditshme, Botox-i vazhdon të jetë një nga procedurat më të njohura për personat që dëshirojnë të zbusin rrudhat dhe të kenë një pamje më të freskët. Ndryshe nga perceptimi se kjo procedurë u dedikohet vetëm femrave, Botox-i estetik mund të përdoret si nga gratë, ashtu edhe nga burrat, të cilët gjithnjë e më shumë po interesohen për kujdesin ndaj pamjes dhe ruajtjen e një pamjeje natyrale.
Por, përtej rezultateve estetike, ekziston një pyetje që shpesh anashkalohet: A është Botox-i i përshtatshëm për të gjithë dhe çfarë duhet të dimë para se t’i nënshtrohemi kësaj procedure? Pikërisht sot, në “Ditën e Botox-it Estetik”, ndalemi te disa nga pyetjet më të shpeshta për këtë trajtim, përfitimet, përshtatshmërinë dhe kujdesin që duhet treguar para realizimit të tij.
Historia e Botox-it në estetikë mori një kthesë të rëndësishme në vitin 2002, kur Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi përdorimin e tij për përmirësimin e përkohshëm të vijave apo rrudhave mes vetullave. Ky miratim shënoi një moment të rëndësishëm në zhvillimin e mjekësisë estetike. Botox-i, përbërësi aktiv i të cilit është onabotulinumtoxinA, vepron duke bllokuar përkohësisht sinjalet nervore që shkaktojnë tkurrjen e muskujve.
Por, kush mund ta përdorë Botox-in? Botox-i estetik mund të jetë një mundësi për personat në moshë si pë gratë ashtu edhe për burrat, që dëshirojnë të zvogëlojnë dukshmërinë e rrudhave, megjithatë, vendimi nuk duhet të merret vetëm nga dëshira për të ndryshuar pamjen. Gjendja shëndetësore, historia mjekësore, pritshmëritë dhe zona që dëshirohet të trajtohet janë faktorë të rëndësishëm në përcaktimin e përshtatshmërisë për këtë procedurë.
Po kush duhet ta shmangë ose të ketë kujdes të veçantë? Edhe pse konsiderohet një procedurë e zakonshme estetike, Botox-i nuk është i përshtatshëm për secilin person. Personat që kanë alergji ndaj përbërësve të Botox-it, nuk duhet ta përdorin atë. Personat me infeksion në vendin ku planifikohet injektimi nuk duhet t’i nënshtrohen trajtimit, derisa infeksioni të jetë trajtuar. Personat me sëmundje neuromuskulare, si miastenia gravis apo sindroma Lambert-Eaton, duhet të vlerësohen me kujdes të veçantë nga mjeku. Gratë shtatzëna ose nënat gji-dhënëse duhet ta diskutojnë përdorimin e botox-it me mjekun, pasi të dhënat për sigurinë në këto periudha janë të kufizuara. Personat që përdorin medikamente të caktuara, veçanërisht disa antibiotikë ose barna që ndikojnë në funksionin neuromuskular, duhet ta informojnë mjekun përpara trajtimit.
Dhe mos harroni, të kujdesesh për veten është gjithmonë pozitive, por të dish se çfarë është e përshtatshme për trupin tënd është edhe më e rëndësishme.








