A ju ka ndodhur ndonjëherë të jeni në një vend, të zhvilloni një bisedë apo të përjetoni një situatë dhe papritur të ndieni sikur gjithçka ka ndodhur më parë? Kjo ndjesi e pazakontë njihet si ‘Déjà vu’ dhe është një fenomen që vazhdon të zgjojë kureshtjen e njerëzve dhe interesin e shkencëtarëve.
Termi vjen nga frëngjishtja dhe përkthehet “E përjetuar më parë”. Ai përshkruan ndjesinë e fortë të njohjes së një momenti të ri, edhe pse e dimë se po e përjetojmë për herë të parë. Zakonisht zgjat vetëm disa sekonda, por mjafton për të na lë me një pyetje: Pse na duket sikur e kemi jetuar këtë moment? Shkencëtarët e lidhin këtë fenomen kryesisht me mënyrën se si truri përpunon kujtimet dhe informacionet. Një nga shpjegimet është se ndonjëherë truri krijon një ndjesi familjariteti për një përvojë të re, duke na bërë ta perceptojmë atë sikur i përket së kaluarës.
Edhe pse zgjat vetëm pak sekonda, déjà vu mbetet një kujtesë magjepsëse e kompleksitetit të trurit dhe mënyrës misterioze se si truri ynë ndërthur kujtimet, përjetimet dhe realitetin.







