Muaji nëntor i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e mushkërive, një prej sëmundjeve më serioze që prek shëndetin e njeriut. Përmes informimit dhe edukimit shëndetësor, ky muaj synon të vë në pah rëndësinë e parandalimit, njohjes së simptomave dhe diagnostikimit të hershëm. Pirja e duhanit mbetet një nga faktorët kryesorë të rrezikut, por kanceri i mushkërive mund të shfaqet edhe te personat që nuk kanë pirë kurrë duhan. Kolla e vazhdueshme, dhimbjet në gjoks, vështirësitë në frymëmarrje, kollitja me gjak dhe humbja e pashpjegueshme e peshës janë disa nga shenjat që nuk duhen neglizhuar. Identifikimi i tyre dhe konsultimi me mjekun mund të jenë vendimtarë për diagnostikimin në kohë të kësaj sëmundjeje.
Shmangia e duhanit dhe tymit pasiv, mbrojtja nga substancat e dëmshme në ambientin e punës dhe kontrollet mjekësore sipas rekomandimeve janë hapa po ashtu të rëndësishëm për kujdesin ndaj shëndetit të mushkërive.
Mesazhi i këtij muaji është i qartë: Informimi, parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm mund të bëjnë ndryshimin dhe të shpëtojnë jetë.







