“Liria është më shumë se mungesë e kufizimeve; është mundësi për të zgjedhur dhe për të shpresuar për të ardhmen.”
Liria për të folur, për të menduar ndryshe, për të zgjedhur rrugën tonë dhe për të jetuar pa frikë, janë të drejta që i festojmë dhe i rikujtojmë sot, më 9 nëntor, teksa shënojmë “Ditën Botërore të Lirisë”. Kjo ditë lidhet me një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne, me datën 9 nëntor të vitit 1989, ku mijëra qytetarë të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore u mblodhën për të rrëzuar ‘Murin e Berlinit’, një simbol i ndarjes, kufizimit dhe mungesës së lirisë që për gati tri dekada kishte ndarë familje, miq dhe një popull të tërë. Rënia e ‘Murit të Berlinit’ nuk ishte vetëm fundi i një pengese fizike, ishte dëshmi se dëshira e njerëzve për të jetuar të lirë mund të jetë më e fortë se çdo mur, sistem apo kufi i vendosur për t’ua mohuar këtë të drejtë. Por, liria nuk është vetëm një ngjarje historike dhe as një e drejtë që fitohet një herë e përgjithmonë. Ajo kërkon mbrojtje çdo ditë. Është liria e gazetarëve për të raportuar pa presion, e qytetarëve për të shprehur mendimin e tyre, e grave dhe burrave për të marrë vendime për jetën e tyre, por edhe e secilit njeri për t’u trajtuar me dinjitet dhe barazi.
Në shumë vende të botës, njerëzit vazhdojnë të përballen me censurë, diskriminim, luftëra dhe kufizime të të drejtave themelore. Prandaj, kjo ditë është edhe një kujtesë se liria nuk duhet të jetë privilegj i disa njerëzve, por e drejtë e secilit, pa dallim. Sepse liria nuk matet vetëm me mungesën e mureve që na ndajnë, por edhe me mundësinë për të jetuar, folur, zgjedhur dhe ëndërruar pa frikë.







