Muzika është një gjuhë universale që bashkon njerëzit përtej kufijve dhe kulturave, ndërsa një prej instrumenteve që i jep asaj një tingull të veçantë, është pikërisht saksofoni. Çdo vit ‘Dita e Saksofonit’ shënon një mundësi për të vlerësuar bukurinë dhe rëndësinë e këtij instrumenti muzikor, i njohur për tingullin e tij të ngrohtë, melodik dhe plot emocion.
I krijuar nga shpikësi belg Adolphe Sax, në shekullin XIX, saksofoni është bërë një nga instrumentet më të dallueshme, veçanërisht në muzikën jazz, por edhe në zhanre të tjera si blues, pop dhe muzikë klasike. Përmes melodive të tij, saksofoni mund të përcjellë gëzim, nostalgji, dashuri dhe emocione të thella.
Kjo ditë na fton të dëgjojmë, të zbulojmë dhe të vlerësojmë muzikën si dhe artistët që përmes këtij instrumenti e bëjnë atë edhe më të bukur, sepse ndonjëherë, një melodi e vetme saksofoni mund të thotë më shumë se një mijë fjalë.







