Nga inteligjenca artificiale te zemra artificiale edhe këtë javë teknologjia dëshmoi se është fuqi që ndryshon të ardhmen. Gjiganti Google po punon për Argon, një model të avancuar të inteligjencës artificiale që pritet të jetë baza e gjeneratës së ardhshme Gemini. Modeli në fjalë është projektuar për të përballuar detyra komplekse në programim, kërkime dhe siguri kibernetike, ndërsa mund të përpunojë deri në një milion njësi informacioni në të njëjtën kohë. Por zhvillimi i AI-së ka edhe një kosto të jashtëzakonshme. Sipas vlerësimeve të kompanisë analitike PwC, investimet globale në infrastrukturën e inteligjencës artificiale mund të arrijnë rreth 28 trilionë euro, kjo vetëm deri në vitin 2050.
Ndërkohë, teknologjia po hyn edhe në një nga fushat më të ndjeshme të jetës siç është mjekësia. Në Francë është zhvilluar zemra artificiale Aeson. Falë sensorëve dhe një sistemi automatik kontrolli, pajisja në fjalë mund të përshtatë rrjedhjen e gjakut sipas nevojave të trupit. Rezultatet e para klinike kanë qenë premtuese, duke u dhënë pacientëve më shumë kohë në pritje të një transplanti.
Një tjetër zhvillim vjen nga Universiteti i Southampton, ku shkencëtarët kanë krijuar të ashtuquajturin 5D Memory Crystal, kristal ky prej qelqi, që mund të ruajë deri në 360 terabajt të dhëna dhe është projektuar t’u rezistojë temperaturave ekstreme, goditjeve dhe rrezatimit. Sipas studiuesve, informacioni i ruajtur në të mund të mbijetojë për miliarda vite, duke e kthyer atë në një lloj arkivi të mundshëm të qytetërimit njerëzor.
Dhe në këtë valë inovacioni spikat edhe një emër shqiptar. Dr. Halil Krasniqi, ligjërues në Heidelberg dhe drejtues i një klinike vaskulare në Gjermani, që është bërë i njohur për pajisjen “Krassa”, e cila mundëson trajtimin e disa sëmundjeve të enëve të gjakut përmes një qasjeje minimale invazive, pa ndërhyrje kirurgjike tradicionale. Pajisja tashmë është futur në tregun ndërkombëtar dhe po përdoret në praktikën mjekësore.







