Nga vizatimet e bëra me dorë deri te filmat 3D dhe efektet e krijuara me kompjuter, animacioni ka kaluar më shumë se një shekull transformimesh dhe është shndërruar në një prej formave më të rëndësishme të artit dhe komunikimit vizual. Sot më 28 tetor, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Animacionit’, që i kushtohet artit që ka bërë të mundur që vizatimet, figurat dhe idetë të marrin jetë në ekran.
Sot kujtohet moment i rëndësishëm në historinë e kësaj fushe, si shfaqja publike e “Théâtre Optique” nga Émile Reynaud në Paris, më 28 tetor, të vitit 1892. Teknologjia e Reynaud konsiderohet një prej pararendëseve të rëndësishme të kinemasë së animuar. Që nga ato eksperimente të hershme, teknikat e animacionit janë zhvilluar ndjeshëm. Vizatimi tradicional, animacioni me kukulla, stop-motion, grafika kompjuterike dhe teknologjitë 3D janë bërë pjesë e një industrie që sot shtrihet përtej kinemasë. Animacioni përdoret në filma dhe seriale, por edhe në video-lojëra, reklama, edukim dhe shumë fusha të tjera. Përmes tij, ide dhe histori që do të ishin të vështira për t’u paraqitur në mënyrë tradicionale mund të shndërrohen në botë tërësisht të reja.
Dhe ndoshta bukuria e animacionit qëndron pikërisht këtu, për të na kujtuar se ndonjëherë mjafton një vizatim, një ide dhe pak imagjinatë për të krijuar një botë të re dhe magjike.







