Mësuesit luajnë një rol qendror në formimin e njohurive, aftësive dhe vlerave të brezave të rinj. Andaj sot, më 5 tetor shënohet ‘Dita Botërore e Mësuesve’ dhe vëmendja përqendrohet te rëndësia e këtij profesioni si dhe tek kushtet në të cilat punojnë miliona edukatorë në mbarë botën. Kjo datë u vendos në vitin 1994 nga UNESCO dhe lidhet me miratimin e Rekomandimit të UNESCO-s dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës mbi statusin e mësuesve, në vitin 1966.
Përtej rolit të tyre në klasë, mësuesit ndikojnë në zhvillimin e aftësive sociale, mendimit kritik dhe përgatitjes së të rinjve për jetën profesionale dhe shoqërore. Për këtë arsye, vëmendja i kushtohet edhe sfidave të profesionit, përfshirë nevojën për kushte të përshtatshme pune, mbështetje institucionale dhe vlerësim të duhur.
Në një kohë kur arsimi po përballet me ndryshime të shpejta teknologjike dhe shoqërore, roli i mësuesit mbetet një nga elementet kryesore të procesit të edukimit.







