Kjo javë po shënon ‘Javën Botërore të Hapësirës’, një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare kushtuar hapësirës, shkencës dhe eksplorimit të universit. Data 4 deri më 10 tetor, synon të nxjerrë në pah rolin që shkenca dhe teknologjia hapësinore luajnë në zhvillimin e shoqërisë dhe në përmirësimin e jetës në Tokë.
Kjo nismë u shpall nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 dhe lidhet me dy momente të rëndësishme të historisë së eksplorimit hapësinor, ku data 4 tetor përkon me përvjetorin e lëshimit të Sputnik 1 në vitin 1957, sateliti i parë artificial që u vendos në orbitën e Tokës. Ndërsa, data 10 tetor e vitit 1967, shënon hyrjen në fuqi, të Traktatit për Hapësirën e Jashtme, një prej dokumenteve kryesore që përcakton parimet për përdorimin paqësor të hapësirës.
Gjatë kësaj periudhe, në vende të ndryshme organizohen ligjërata, ekspozita, punëtori, gara dhe aktivitete edukative që synojnë t’i afrojnë të rinjtë me shkencën dhe teknologjinë. Nga satelitët e parë deri te misionet që sot studiojnë planetët, yjet dhe galaktikat e largëta, eksplorimi i hapësirës vazhdon të zgjerojë kufijtë e njohurive njerëzore.







