Teknologjia dhe shkenca po ndryshojnë mënyrën se si ushqimi prodhohet, ruhet, transportohet dhe shpërndahet. Përdorimi i të dhënave dhe shërbimeve digjitale, farërave të përmirësuara, bioteknologjisë dhe modeleve të reja të bashkëpunimit mund të ndihmojë në rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve ushqimore. Sot, më 16 tetor shënohet “Dita Botërore e Ushqimit”, një ditë që rikthen në vëmendje rëndësinë e qasjes në ushqim të mjaftueshëm, të sigurt dhe ushqyes për të gjithë. Edhe pse bota prodhon mjaftueshëm ushqim për të ushqyer popullsinë globale, rreth 645 milionë njerëz përballen ende me uri, ndërsa 2.7 miliardë njerëz, nuk kanë mundësi të përballojnë një dietë të shëndetshme.
Konfliktet, paqëndrueshmëria ekonomike dhe ndryshimet klimatike po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi sistemet ushqimore dhe bujqësore. Përballë këtyre sfidave, inovacioni po shihet si një nga mënyrat për të ndërtuar sisteme më të qëndrueshme dhe më rezistente.
Por inovacioni nuk lidhet vetëm me teknologjinë. Njohuritë dhe përvoja e fermerëve, peshkatarëve, blegtorëve dhe komuniteteve lokale mbeten pjesë e rëndësishme e gjetjes së zgjidhjeve për prodhim dhe shpërndarje më efikase të ushqimit. Dita e sotme na rikujton se lufta kundër urisë kërkon përpjekje të përbashkëta dhe sisteme ushqimore që janë më të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të afta për t’u përballur me krizat.
Ushqimi i sigurt për të gjithë nuk është vetëm një nevojë e së tashmes, por edhe një përgjegjësi për të ardhmen.







