Shëndeti mendor është pjesë e rëndësishme e mirëqenies së çdo individi dhe kërkon vëmendje gjatë gjithë jetës. Dëgjimi i njerëzve që kanë përjetuar sfida të shëndetit mendor mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të nevojave të tyre dhe në ndërtimin e shërbimeve që u përgjigjen më mirë realitetit të tyre. Sot, më 10 tetor, shënohet “Dita Botërore e Shëndetit Mendor”, që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit mendor, të luftojë stigmën dhe të nxisë mbështetje më të madhe për njerëzit që përballen me sfida të shëndetit mendor.
Kjo ditë gjithashtu ka për qëllim të tërheqë vëmendjen te nevoja për qasje më të mirë në shërbimet dhe mbështetjen për shëndetin mendor. Pabarazitë në ofrimin e këtyre shërbimeve mbeten një sfidë në shumë vende të botës, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta, ku numri i profesionistëve të shëndetit mendor është i kufizuar.
Ndryshimi nuk nis vetëm nga politikat dhe institucionet, ai nis edhe nga dëgjimi i njerëzve, kuptimi i përvojave të tyre dhe krijimi i një shoqërie ku kërkimi i ndihmës për shëndetin mendor nuk shoqërohet me paragjykim apo stigmë.







