Dikur, për të gjetur përgjigjen e një pyetjeje, duhej të hapje një libër, të kërkoje në bibliotekë dhe ndonjëherë të prisje gjatë për të gjetur informacionin që të duhej. Sot, mjaftojnë vetëm disa klikime. Teknologjia tashmë është pjesë e arsimit dhe ka ndryshuar mënyrën se si mësojmë. Një mësim nuk përfundon më kur bie zilja e shkollës. Ai mund të vazhdojë në një video, në një platformë online, në një aplikacion apo në një diskutim virtual me nxënës nga vende të ndryshme të botës.
Në “Ditën e Teknologjisë në Arsim”, që shënohet sot, më 23 shtator, vëmendja shkon pikërisht tek ndërlidhja në mes të arsimit dhe teknologjisë. Për një nxënës, teknologjia mund ta bëjë një mësim më interesant. Për një mësues, teknologjia mund të jetë një mënyrë e re për të shpjeguar një temë, por a mjafton teknologjia për të mësuar më mirë? Jo gjithmonë, sepse një ekran mund të japë informacion, por nuk mund të zëvendësojë kureshtjen. Një aplikacion mund të japë përgjigje, por nuk mund të zëvendësojë dëshirën për të bërë pyetje. Dhe asnjë pajisje nuk mund ta zëvendësojë plotësisht mësuesin që e di edhe se kur një nxënës ka nevojë për një shpjegim tjetër.
Prandaj, teknologjia në arsim nuk duhet parë si zëvendësim i asaj që kemi pasur deri më tani, por si një mundësi për ta bërë mësimin më të pasur.







