Turizmi është shumë më tepër se udhëtimi nga një vend në tjetrin. Ai na mundëson të zbulojmë vende të reja, të njohim kultura dhe tradita të ndryshme dhe të krijojmë lidhje me njerëz që mund të kenë gjuhë, zakone dhe histori të ndryshme nga tonat. Çdo vit, më 27 shtator, shënohet ‘Dita Botërore e Turizmit’, e themeluar nga Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e turizmit dhe ndikimin e tij në ekonomi, kulturë dhe shoqëri. Në të njëjtën kohë, turizmi luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, duke krijuar vende pune dhe duke mbështetur bizneset lokale, artizanët, gastronominë dhe sektorë të tjerë.
Edhe Kosova ofron destinacione që ia vlen të zbulohen, nga kryeqyteti Prishtina, pastaj Prizreni, Mitrovica, Gjakova dhe Peja e deri te malet, liqenet, monumentet kulturore dhe traditat e pasura të vendit. ‘Dita Botërore e Turizmit’ është një kujtesë se udhëtimi mund të jetë një mënyrë për të mësuar, për të kuptuar më mirë botën dhe për të afruar njerëzit.







