Bota e teknologjisë po sjell zhvillime të reja në disa fusha, nga mbrojtja e të dhënave dhe rrjetet sociale, deri te inteligjenca artificiale dhe teknologjia mjekësore. Apple ka rënë dakord të ndryshojë mënyrën se si aplikacionet kërkojnë pëlqimin e përdoruesve për gjurmim, e kjo pas një hetimi nga autoritetet evropiane dhe gjermane të konkurrencës. Në disa vende evropiane, zhvilluesit do të mund të përdorin forma alternative për marrjen e pëlqimit, me opsione më të qarta si “Lejo” dhe “Refuzo”. Ndryshimet synojnë t’u japin përdoruesve më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre dhe zhvilluesve më shumë mundësi në këtë proces.
Ndërkohë, TikTok po sjell funksione të reja në seksionin e komenteve. Përdoruesit mbi 18 vjeç të TikTok-ut mund të publikojnë komente zanore deri në një minutë, ndërsa krijuesit mund të shtojnë sondazhe deri në pesë alternativa. Platforma u lejon gjithashtu publikimin e nëntë fotografive në një koment.
Një tjetër zhvillim këtë javë vjen nga teknologjia mjekësore, ku shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë Jugore po punojnë për një stimulues eksperimental të zemrës që mund të funksionojë nga jashtë trupit. Pajisja përdor sinjale elektrike për të ndihmuar në rregullimin e rrahjeve të parregullta të zemrës dhe nëse zhvillohet më tej, mund të hapë mundësi për trajtime më pak invazive.
Në fushën e inteligjencës artificiale, modeli Gemini i Google ka demonstruar aftësi të avancuara gjatë një testi të sigurisë kibernetike. Sipas Google, modeli në fjalë arriti të fitonte qasje në sistemet e tre kompanive gjatë testimit, duke përdorur informacione publike dhe kredenciale të hamendësuara. Kompanitë u njoftuan për rezultatet, ndërsa rasti ka rikthyer diskutimet mbi sigurinë dhe kufijtë e përdorimit të AI në sigurinë kibernetike.







