Një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa kujdesi ndaj natyrës dhe hapësirave publike duhet të jetë pjesë e përditshmërisë së secilit. Prandaj, data e sotme 20 shtator shënon “Ditën Botërore të Pastrimit”, një nismë që synon të mobilizojë qytetarë, komunitete, organizata dhe institucione në përpjekjet për pastrimin e mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për problemin e mbeturinave.
Kjo ditë shërben si një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj ndotjes së hapësirave publike, parqeve, lumenjve, pyjeve dhe zonave të tjera natyrore. Përmes aksioneve të pastrimit, synohet jo vetëm largimi i mbeturinave, por edhe nxitja e një kulture më të madhe të përgjegjësisë ndaj mjedisit. Hedhja e mbeturinave në vendet e përcaktuara, riciklimi dhe përdorimi më i përgjegjshëm i burimeve janë veprime që mund të bëhen pjesë e rutinës së përditshme.
“Dita Botërore e Pastrimit” mbetet një kujtesë se një mjedis më i pastër dhe më i shëndetshëm fillon nga përgjegjësia e secilit prej nesh.







