Bota e teknologjisë po sjell çdo ditë zhvillime të reja. Kompanitë dhe shtetet po investojnë shuma të mëdha parash në inteligjencë artificiale, robotikë dhe pajisje të reja. Në qendër të vëmendjes këtë javë është rikthyer Trump Mobile T1, telefoni i lidhur me markën Trump, çmimi i të cilit është rritur ndjeshëm. Pajisja tani kushton 749 dollarë, nga 499 dollarë sa ishte prezantuar fillimisht. Telefoni vjen me ekran AMOLED 120Hz, 512 GB hapësirë, kamerë 50 megapikselë dhe bateri 5,000 mAh, ndërsa funksionon me Android 15.
Por teknologjia po ngre edhe pikëpyetje për privatësinë. Kryeqyteti norvegjez Oslo, e ka ndaluar përdorimin e syzeve inteligjente në shkolla, për shkak të shqetësimeve rreth fotografimit, regjistrimit dhe mbledhjes së të dhënave të fëmijëve. Syzet moderne mund të kryejnë fotografi, video, telefonata dhe të përdorin inteligjencën artificiale, ndërsa diskutimi për njohjen e fytyrës po bëhet gjithnjë më i madh.
Në anën tjetër, Google planifikon të investojë rreth 15 miliardë dollarë në Finlandë për infrastrukturën e inteligjencës artificiale. Kompania ka siguruar gjithashtu marrëveshjen e parë për energji bërthamore jashtë SHBA-së, duke planifikuar të blejë deri në 50 për qind të prodhimit të një centrali për 22 vjet.
Ndërkohë, Japonia po ecë me hapa të mëdhenj. Atje po zhvillohen automjete që po njihen si “ambulancë për robotët humanoidë”. Brenda tij do të ketë pjesë rezervë, pajisje riparimi dhe një inxhinier që mund të ndërhyjë në rast defekti.







