Çdo trajtim mjekësor duhet të nisë nga një parim themelor: siguria e pacientit. Çdo vit, më 17 shtator, vëmendja përqendrohet te kjo çështje përmes ‘Ditës Botërore të Sigurisë së Pacientit’, e cila shërben për të rikujtuar rëndësinë e kujdesit të sigurt dhe cilësor në shëndetësi. Pas çdo dere të një spitali, qendre shëndetësore apo klinike ndodhet një pacient që pret jo vetëm trajtim, por edhe siguri, kujdes e besim.
Një diagnozë e saktë, një ilaç i dhënë në kohën e duhur, një komunikim i qartë mes stafit mjekësor dhe pacientit, janë thelbi i një trajtimit të mirëfilltë.
Siguria e pacientit nuk lidhet vetëm me shmangien e gabimeve. Ajo fillon nga mënyra se si funksionon i gjithë sistemi shëndetësor. Nga momenti i pranimit të pacientit, te diagnoza, trajtimi dhe kujdesi pasues, çdo hap kërkon vëmendje dhe përgjegjësi. Në shumë raste, edhe një detaj i vogël mund të ketë pasoja të mëdha. Pikërisht për këtë arsye, profesionistët shëndetësorë duhet të punojnë me komunikim të mirë, protokolle të qarta dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Prandaj “Dita e Sigurisë së Pacientit” na kujton se pas çdo procedure, çdo recete dhe çdo vendimi mjekësor qëndron një njeri që i ka besuar shëndetin e tij një sistemi.







