Mijëra adhurues të muzikës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës u mblodhën mbrëmë në Sunny Hill Festival Park në Bërnicë, ku u mbajt nata e parë e Sunny Hill Festival 2026, duke e shndërruar Prishtinën në qendrën më të madhe muzikore të rajonit. Nën dritat spektakolare të skenës, mes efekteve vizuale impresionuese dhe energjisë së jashtëzakonshme të publikut, festivali nisi fuqishëm edicionin e tij më të ri.
Që nga orët e para të ditës, hapësira e festivalit u mbush me vizitorë të ardhur nga vende të ndryshme, të cilët sollën atmosferën karakteristike të një prej festivaleve më të njohura të Evropës Juglindore. Muzika, arti, gastronomia dhe fryma festive u ndërthurën në një mbrëmje që dëshmoi edhe një herë se Sunny Hill është shumë më tepër sesa një festival muzikor.
Kulmi i natës ishte pa dyshim performanca e superyllit botëror Katy Perry. Artistja amerikane elektrizoi skenën me hitet e saj më të njohura, duke bërë që mijëra fansa të këndonin në një zë këngë që kanë shënuar një epokë në muzikën pop. “The One that Got Away”, “I Kissed a Girl”, “Teenage Dream” dhe shumë hite të tjera u shoqëruan nga duartrokitje të pandërprera dhe emocione të forta, ndërsa spektakli vizual dhe energjia e artistes krijuan një nga momentet më të paharrueshme në historinë e festivalit.
Përveç performancës madhështore të Katy Perry-t, nata e parë e Sunny Hill Festival 2026 solli në skenë edhe një varg artistësh që mbajtën publikun nën ritmet e muzikës gjatë gjithë mbrëmjes. Para yllit amerikan Katy Perry performuan këngëtarja shqiptare Dhurata Dora, grupi turk Manifest dhe artisti italian Blanco, të cilët u pritën me entuziazëm nga mijëra të pranishmit.
Buzëqeshje, fotografi, argëtim dhe momente të paharrueshme dominuan natën e parë të festivalit.
Pas suksesit të natës së parë, Sunny Hill Festival vazhdon edhe sonte me një program të pasur muzikor dhe një tjetër mbrëmje të mbushur me yje. Në skenën kryesore të festivalit do të ngjitet këngëtari britanik Lewis Capaldi, një nga zërat më të dashur të muzikës pop bashkëkohore. Krahas tij, publiku do të mund të shijojë performancat e artistëve të tjerë si EsDeeKid, Ledri Vula, Lyrical Son, MC Kresha, Buta, Lumi B dhe shumë emra të tjerë vendorë e ndërkombëtarë.







