Më 1 gusht, shënohet” Dita Botërore e Kancerit të Mushkërive”, që synon të rrisë ndërgjegjësimin për një nga sëmundjet më të përhapura dhe më vdekjeprurëse në botë si dhe të theksojë rëndësinë e mbështetjes për pacientët dhe familjet e tyre. Me rastin e kësaj dite, platforma ndërkombëtare “Know Lung Cancer” organizon fushatën “Të bashkuar për të luftuar kancerin e mushkërive”, e cila synon të bashkojë pacientët, kujdestarët, profesionistët shëndetësorë dhe komunitetin për të promovuar informimin, mbështetjen dhe solidaritetin ndaj personave të prekur nga kjo sëmundje.
Për të shënuar “Ditën Botërore të Kancerit të Mushkërive”, organizatorët ftojnë të interesuarit të shkarkojnë posterin e fushatës, të realizojnë një fotografi me të dhe ta shpërndajnë në rrjetet sociale, duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, edukimit dhe mbështetjes së vazhdueshme për pacientët.
Mesazhi kryesor i fushatës së këtij viti është se askush nuk duhet ta përballojë i vetëm kancerin e mushkërive dhe se informimi, mbështetja dhe forca e komunitetit mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e personave të prekur nga kjo sëmundje.







