Në ditët e sotme ekzistojnë lloje të shumta çokollatash, e zezë, me qumësht, e bardhë dhe variante me mijëra shije të ndryshme me fruta, arra apo karamel, etj. Përveç shijes së mrekullueshme, studime të ndryshme tregojnë se çokollata e zezë, kur konsumohet me masë, mund të ketë përfitime për shëndetin, duke ndihmuar humorin dhe zemrën. Çdo vit, më 7 korrik, bota feston “Ditën Botërore të Çokollatës’, kushtuar pikërisht çokollatës, ëmbëlsirës që ka fituar zemrat e miliona njerëzve në çdo cep të globit. Kjo ditë synon të promovojë historinë, kulturën dhe kënaqësinë që sjell çokollata në jetën tonë të përditshme.
Historia e çokollatës daton mijëra vite më parë, kur civilizimet e lashta të Amerikës Qendrore, si Majat dhe Aztekët, përdornin kokrrat e kakaos për pije tradicionale e madje edhe si monedhë shkëmbimi. Me kalimin e kohës, çokollata u përhap në Evropë dhe u shndërrua në një nga produktet më të preferuara në botë.
Në “Ditën Botërore të Çokollatës’, njerëzit zgjedhin ta festojnë në mënyra të ndryshme: duke dhuruar çokollata, përgatitur ëmbëlsira të veçanta, vizituar pastiçeri apo duke kaluar kohë me familjen dhe miqtë duke shijuar receta me kakao.
Kjo ditë është një kujtesë e vogël se edhe gjërat më të thjeshta, si një copë çokollatë, mund të sjellin lumturi dhe buzëqeshje.







