Data 8 qershor i çdo viti, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Oqeaneve”, e shpallur nga Kombet e Bashkuara, qysh nga viti 2009. Oqeanet mbulojnë mbi 70% të sipërfaqes së Tokës e më shumë se 1 miliard njerëz në botë varen nga oqeanet si burim kryesor ushqimi, e megjithatë kujdesin ndaj ujit mungon. Çdo vit, rreth 11 milionë tonë plastikë përfundojnë në oqeane dhe dete, rreth 90% e popullsisë së peshqve të mëdhenj janë zvogëluar nga peshkimi i tepërt, e mbi 800 specie detare preken nga ndotja plastik, e këto janë statistika alarmante për globin, statistika të ‘zeza’ kundrejt burimit të jetës – UJIT.
Prandaj sot, në “Ditën Botërore të Oqeaneve”, bëhet përpjekje që në nivel global të ruajmë oqeanet. Në vende të ndryshme të botës organizohen aksione pastrimi, fushata edukative dhe aktivitete simbolike për të tërhequr vëmendjen mbi ndotjen e ujërave dhe ndryshimet klimatike që po ndikojnë gjithnjë e më shumë në ekosistemet detare. Ekspertët e mjedisit theksojnë se oqeanet luajnë rol kyç në jetën e planetit, pasi prodhojnë një pjesë të madhe të oksigjenit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në klimën globale. “Dita Botërore të Oqeaneve” shërben edhe si thirrje për qytetarët dhe institucionet që të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e natyrës përmes reduktimit të mbetjeve dhe kujdesit ndaj burimeve ujore, sepse mbrojtja e oqeaneve është përgjegjësi e përbashkët dhe lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e planetit.







