Një mjet i thjeshtë, i përballueshëm ekonomikisht dhe tërësisht miqësor me mjedisin ka marrë vëmendjen kryesore në mbarë botën, falë nismës së Kombeve të Bashkuara për të promovuar lëvizjen e qëndrueshme dhe shënimin e ‘Ditës Botërore të Biçikletës’.
Fokusimi te përdorimi i biçikletës po shihet gjithnjë e më shumë jo thjesht si një aktivitet argëtues, por si një domosdoshmëri për shëndetin publik dhe mjedisin urban.
Si një nga mjetet më ekologjike të transportit, biçikleta mbetet aleati kryesor në uljen e ndotjes së ajrit dhe lirimin e qyteteve nga trafiku i rënduar. Përveç përfitimeve mjedisore, ekspertët kujtojnë se çiklizmi i rregullt përmirëson ndjeshëm shëndetin fizik dhe mendor, duke luftuar stilin sedentar apo stilin pasiv të jetesës.
Në kuadër të këtij organizimi, në shumë qytete po zhvillohen xhiro masive me biçikleta, fushata ndërgjegjësuese dhe thirrje të hapura drejt autoriteteve për ndërtimin e një infrastrukture më të sigurt për çiklistët. Ky moment vjen si një kujtesë se ndryshimet e mëdha për një të ardhme më të gjelbër nisin shpesh nga zgjedhjet tona më të thjeshta të përditshmërisë.







