Gastronomia e qëndrueshme përfaqëson një qasje moderne dhe të përgjegjshme ndaj ushqimit, e cila ndërthur kujdesin për mjedisin, mbështetjen për ekonominë lokale dhe promovimin e shëndetit të njerëzve. Çdo vit, më 18 qershor, shënohet “Dita Botërore e Gastronomisë së Qëndrueshme”, një ditë që shërben si thirrje globale për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. Përmes kësaj dite, Kombet e Bashkuara nënvizojnë rëndësinë e transformimit të mënyrës se si prodhohet dhe konsumohet ushqimi, duke promovuar inovacionin, ruajtjen e traditave kulinare dhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Pra, qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin global për rëndësinë e sistemeve ushqimore të qëndrueshme dhe rolin që ato luajnë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe pasigurisë ushqimore.







