Edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026” do të nisë më 17 qershor në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, duke sjellë për pesë ditë radhazi aktivitete të shumta kulturore dhe letrare për dashamirët e librit.
Me moton “Libri hap botën”, ngjarja e organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës do të zgjasë deri më 21 qershor. Ceremonia zyrtare e hapjes është paraparë të mbahet më 17 qershor në orën 12:00. Sipas organizatorëve, në këtë edicion pritet të marrin pjesë rreth 100 botues shqiptarë, të cilët do të prezantojnë afro 2000 tituj të rinj dhe rreth 6000 botime të viteve të fundit.
Përgjatë panairit pritet të zhvillohen mbi 40 promovime librash, diskutime kulturore dhe takime me autorë vendorë e ndërkombëtarë. Mysafir nderi i këtij viti do të jetë shkrimtari italiano-francez, Francesco Rapazzini.
Organizatorët presin që panairi të vizitohet nga rreth 30 mijë qytetarë, studentë dhe nxënës, ndërsa hyrja për të gjithë vizitorët do të jetë falas.







