Kantautori i njohur Shpat Deda, do të rikthehet para publikut të kryeqytetit me një projekt të ri dhe krejtësisht të veçantë artistik, më 14 qershor, të cilin e ka titulluar “KATARSIS: Sun, Moon & Stars”. Ky aktivitet, i cili do të jetësohet në Prishtinë, po pritet me interes të madh dhe synon të sjellë një dimension të ri të performancës skenike në vend.
Ngjarja e paralajmëruar nuk do të jetë thjesht një koncert tradicional, burimor, por një gërshetim i artit audio-vizual dhe instalacioneve konceptuake. Projekti është ndërtuar rreth tematikës së trupave qiellorë, Diellit, Hënës dhe Yjeve duke përdorur lojën e dritave dhe efekteve vizuale për të krijuar një mjedis përjetues që ecën paralelisht me dinamikën e muzikës.
Shpat Deda, i cili njihet për krijimtarinë e tij me tekste të ndjera dhe melodi intime, këtë herë vjen me këngë të ri-aranzhuara posaçërisht për t’iu përshtatur këtij koncepti. Ky gërshetim i tingullit me teknologjinë skenike, synon t’i dhurojë publikut një përjetim të thellë emocional dhe një lloj pastrimi shpirtëror, ashtu siç e sugjeron edhe vetë titulli “Katarsis”.







