Teatri Kombëtar i Kosovës vazhdon repertorin e tij me shfaqjen teatrore ‘Pylli’, vepër kjo e autorit bashkëkohor Florian Zeller, e cila do të vijë para publikut në dy qytete gjatë muajit maj.
Repriza e parë do të mbahet sonte më 7 maj, nga ora 20:00 në teatrin Bekim Fehmiu në Prizren, ndërsa repriza e radhës do të shfaqet më 22 maj, po ashtu nga ora 20:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan. Shfaqja ‘Pylli’ sjell historinë e Pierre-it, një personazh që përballet me një krizë të thellë personale, duke lëvizur mes sfidave familjare, presionit profesional dhe dilemave të brendshme. Përmes një narrative psikologjike dhe dinamike, shfaqja eksploron kufirin e brishtë mes reales dhe iluzionit.
Regjia është realizuar nga Erson Zymberi, ndërsa në kastin e aktorëve interpretojnë Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Hajat Toçilla, Alban Krasniqi, Era Balaj, Liridona Shehu, Rifat Smani, Alban Morina, Zana Duraku dhe Alban Çela.
Me këtë produksion, Teatri Kombëtar i Kosovës vazhdon të sjellë vepra bashkëkohore që trajtojnë tema sociale dhe psikologjike, duke e pasuruar kalendarin kulturor dhe duke afruar publikun me produksione teatrore cilësore.







