Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë në skenë një nga veprat më të njohura të repertorit botëror, ‘Carmina Burana’, në një paraqitje të veçantë në Bogotá, Kolumbi. Shfaqja do të mbahet më 21 maj, në Teatro Municipal Jorge Eliécer Gaitán, një prej hapësirave më të rëndësishme kulturore në vend.
Kjo vepër, me koreografi nga Toni Candeloro, është e njohur për fuqinë e saj dramatike dhe kombinimin e muzikës monumentale me lëvizjen bashkëkohore skenike.
Paraqitja në Kolumbi është pjesë e një turneu më të gjerë në Amerikën Qendrore dhe Latine, i cili përfshin edhe ndalesa në El Salvador. Ky turne përfaqëson një moment të rëndësishëm për Baletin Kombëtar të Kosovës, duke e pozicionuar atë gjithnjë e më fuqishëm në skenën ndërkombëtare.
I themeluar për të zhvilluar dhe promovuar artin e baletit në Kosovë, Baleti Kombëtar ka ndërtuar një repertor që përfshin si vepra klasike ashtu edhe produksione bashkëkohore.







