Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me Apple, kompani kjo e cila po përgatit një revolucion në fushën e inteligjencës artificiale me një version të ri të Siri-t, që do të prezantohet këtë verë.
Siri do të transformohet në një chatbot të avancuar, i aftë të komunikojë në mënyrë të vazhdueshme, të analizojë email-e, dokumente dhe të dhëna personale si dhe të kryejë veprime komplekse ndërmjet aplikacioneve.
Ndërkohë, po këtë javë kompania Meta ka njoftuar se po teston shërbimin e ri “Instagram Plus”, që ofron funksione ekskluzive për përdoruesit, si analiza të shikueshmërisë, kontroll mbi audiencat e storieve dhe mundësinë për të zgjatur kohëzgjatjen e storieve deri në 48 orë, me çmim rreth 1–2 dollarë në muaj.
Nga Kina vijnë lajme historike me miratimin e parë komercial të një implant truri për personat me paralizë, që përdor teknologjinë tru-kompjuter për të kontrolluar një dorezë robotike dhe për të rifituar lëvizjen e duarve.
Në Evropë, Bashkimi Evropian ka nisur një hetim ndaj Snapchat për të verifikuar efektivitetin e sistemit të mbrojtjes së të miturve dhe për të parandaluar rreziqet online për fëmijët, në kuadër të Aktit të Shërbimeve Digjitale. Nga ana tjetër, OpenAI ka vendosur të mbyllë aplikacionin “Sora”, i fokusuar në gjenerimin e videove me AI, për shkak të kostove të larta dhe fokusit në projekte të tjera strategjike, edhe pse aplikacioni pati një nisje të suksesshme.







