Sonte pas mesnate, shumë vende të botës do të kalojnë në orën verore, duke lëvizur akrepat e orës një orë përpara në orën 02:00 të mëngjesit. Kjo do të thotë se ora 02:00 do të bëhet ora 03:00, duke sjellë më shumë dritë gjatë mbrëmjeve të muajve të verës.
Ndryshimi i orës zbatohet në shumë shtete, veçanërisht në pjesën më të madhe të Evropës si dhe në disa rajone të tjera të botës, ku sistemi i orës verore përdoret për të shfrytëzuar më mirë dritën natyrore gjatë ditëve më të gjata të verës.
Praktika e “Daylight Saving Time” konsiston në lëvizjen e orës përpara në pranverë dhe kthimin e saj një orë prapa në vjeshtë, kur rifillon ora standarde apo e ashtuquajtura “ora dimërore”. Ky sistem u përdor për herë të parë në shkallë të gjerë gjatë Luftës së Parë Botërore, me synimin për të kursyer energji elektrike.
Megjithatë, jo të gjitha vendet e botës e zbatojnë këtë praktikë, ku shumë shtete në Azi, Afrikë dhe në disa pjesë të Amerikës së Jugut nuk e përdorin fare ndryshimin sezonal të orës.
Ndryshimi i orës mund të duket i vogël, por mund të ndikojë në rutinën e përditshme. Prandaj, mos harroni të rregulloni orët tuaja dhe pajisjet elektronike para se të flini sonte, për të qenë në kohë me orarin e ri veror!







