Këtë javë janë shënuar disa zhvillime të rëndësishme në teknologji dhe shkencë.
Apple pritet të hyjë në tregun e telefonave të palosshëm me një iPhone inovativ, por lansimi mund të shtyhet deri në fund të vitit, pasi kompania synon ta perfeksionojë produktin.
Në fushën e mjekësisë, shkencëtarët e Universitetit Columbia kanë njoftuar se kanë zhvilluar një terapi inovative që mund të ndihmojë në rikuperimin e zemrës pas infarktit, me vetëm një injeksion. Kjo metodë përdor teknologji moderne biologjike që “udhëzon” trupin të prodhojë substanca shëruese për disa javë.
Ndërkohë një trajtim i ri kundër rënies së flokëve ka treguar rezultate premtuese në studimet e para. Trajtimi i quajtur TH07, po shihet si një hap i rëndësishëm në luftën kundër rënies së flokëve. Bëhet fjalë për kombinimin e tre përbërësve të njohur: finasteride, minoxidil dhe latanoprost, të cilët së bashku japin rezultate më të mira sesa kur përdoren veçmas. Në një studim 6-mujor, shumica e pjesëmarrësve përjetuan rritje të dukshme të flokëve dhe u shprehën më të kënaqur me pamjen e tyre. Studimi vjen nga kompania globale e kërkimeve Triple Hair, me bazë në Kanada.
Po këtë javë, studiuesit kanë zhvilluar një sy bionik që mund t’u ndihmojë personave me probleme në shikim të orientohen më mirë dhe të dallojnë objektet përreth. Kjo teknologji, e quajtur “Gennaris Bionic Vision”, krijon imazhe bazë përmes pikave të dritës, duke i mundësuar përdoruesit të dallojë objekte, njerëz dhe të lëvizë më lehtë në ambient. Kjo shpikje është zhvilluar nga studiuesit e Universitetit Monash në Australi.







