Në një botë gjithnjë e më digjitale, 19 marsi na kujton se dhurata më e çmuar që mund t’i bëjmë një fëmije është koha jonë dhe një tregim i mirë. Leximi me zë është një akt i thjeshtë, por me ndikim të jashtëzakonshëm tek fëmijët, meqë nuk ndihmon vetëm në pasurimin e fjalorit dhe zhvillimin e aftësive gjuhësore, por forcon ndjeshëm lidhjen emocionale mes fëmijës dhe të rriturit. Në ato minuta të qeta, kur një histori merr jetë përmes intonacionit dhe emocionit, krijohen kujtime që mbeten gjatë. Fëmijët mësojnë të dëgjojnë, të imagjinojnë, të ndiejnë dhe të ëndërrojnë.
Si çdo vit, sot bota shënon ditën ndërkombëtare “Më Lexo me Zë”, një nismë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e leximit tek fëmijët.
Kjo ditë nuk u dedikohet vetëm shkrimtarëve, por mbi të gjitha prindërve, mësuesve dhe kujdestarëve. Studimet tregojnë se leximi me zë për fëmijët që në moshë të hershme nuk përmirëson vetëm fjalorin, por krijon lidhje të forta emocionale dhe nxit imagjinatën e tyre.







