Të dashur lexues, në mbarë botën marsi njihet si një muaj që na kujton të flasim për gratë dhe vajzat. Nuk ka të bëjë vetëm me historinë apo festimet. Ka të bëjë me jetën e përditshme. Ka të bëjë me mënyrën se si trajtohen vajzat në shkolla, online, në shtëpi dhe në hapësirat publike. Ka të bëjë edhe me mënyrën se si trajtohen gratë në punë, në shoqëri dhe në vendimmarrje. Gratë dhe vajzat përbëjnë gjysmën e popullsisë së botës. Zërat, idetë dhe talentet e tyre kanë rëndësi. Megjithatë, në shumë vende ato ende përballen me trajtim të padrejtë, diskriminim dhe kufizime vetëm për shkak të gjinisë së tyre. Marsi është një moment për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për të bërë një pyetje të rëndësishme: a trajtohen vërtet gratë dhe vajzat si të barabarta?
Të drejtat e grave kanë të bëjnë me barazinë.
Të drejtat e grave nuk kanë të bëjnë me të qenit më të mira se burrat. Ato kanë të bëjnë me të pasurit të njëjtat të drejta, mundësi dhe respekt. Çdo vajzë ka të drejtë në arsim, siguri dhe liri shprehjeje. Çdo grua ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e saj, karrierën e saj dhe mënyrën e saj të jetesës. Barazia do të thotë, të mund të flasësh pa frikë. Do të thotë të merresh seriozisht. Do të thotë të kesh të njëjtat mundësi për të pasur sukses. Kur gratë përjashtohen ose heshtën, shoqëria humb ide, kreativitet dhe përparim.
Vajzat duhet të rriten duke besuar te vetja.
Ato duhet të inkurajohen të bëjnë pyetje, të shprehin mendime dhe të synojnë lart. Asnjë ëndërr nuk është “shumë e madhe” apo “jo për vajza”. Shkenca, sporti, arti, lidershipi, teknologjia – çdo fushë u përket të gjithëve. Fatkeqësisht, stereotipet ende ekzistojnë. Vajzave nganjëherë u thuhet të jenë më të qeta, më të vogla ose më pak ambicioze. Këto porosi mund të dëmtojnë vetëbesimin me kalimin e kohës. Të mbështesësh vajzat do të thotë të sfidosh këto stereotipe dhe të krijosh hapësira ku ato ndihen të sigurta të jenë vetvetja.
Respekti fillon në jetën e përditshme.
Të drejtat e grave nuk mbrohen vetëm nga ligjet. Ato mbrohen nga sjellja jonë e përditshme. Respekti shfaqet në mënyrën se si flasim, si bëjmë shaka, si komentojmë online dhe si i trajtojmë njerëzit rreth nesh. Ai shfaqet kur dëgjojmë në vend që të ndërpresim, kur mbështesim në vend që të gjykojmë dhe kur ngremë zërin kundër trajtimeve të padrejta. Si djemtë ashtu edhe vajzat kanë rol në ndërtimin e barazisë. Të jesh aleat do të thotë të qëndrosh kundër ngacmimit, diskriminimit dhe bullizmit. Heshtja lejon padrejtësinë të vazhdojë, ndërsa të flasësh mund të sjellë ndryshim.
E ardhmja është e barabartë.
Të rinjtë e formësojnë të ardhmen. Mënyra se si mendoni, flisni dhe veproni sot do të përcaktojë shoqërinë e së nesërmes. Barazia nuk është një trend apo një favor. Ajo është një e drejtë themelore e njeriut. Këtë mars, gjeni kohë të mësoni, të pyesni dhe të mbështesni gratë dhe vajzat. Respektoni zërat e tyre. Besoni në forcën e tyre. Kur gratë dhe vajzat fuqizohen, bota bëhet një vend më i drejtë dhe më i fortë për të gjithë.
Miqtë e mi, deri në takimin tonë të radhës në prill, shëndet.
Shkruar nga Menaxherja e revistës 4You Magazine, Leonora Shabanaj Niksic.







