Çdo vit, më 26 shkurt, shënohet dita “Carpe Diem”, e cila na inkurajon të vlerësojmë momentin që po jetojmë. Shprehja “Carpe Diem”, vjen nga gjuha latine që në shqip do ta përkthenim, si ‘Jeto sot maksimumin’ apo “Jeto çastin, mos e lër për nesër”.
Kjo shprehje e cila e ka edhe një ditë të saj, vjen nga poeti romak Quintus Horatius Flaccus i njohur në botë me nofkën Horace dhe përcjell një mesazh të fuqishëm: Jeto sot, tani!
Në një botë me ritëm të shpejtë, ku shpesh jemi të përqendruar te planet për të ardhmen apo pengjet e së kaluarës, dita “Carpe Diem” na fton të përqendrohemi tek e tashmja dhe është një mundësi për të reflektuar, për të ndërmarrë një hap të guximshëm, për të nisur një ide të re apo thjesht për të kaluar kohë cilësore me njerëzit që i duam. Kjo ditë shërben si frymëzim për të ndjekur pasionet tona, për të mos shtyrë ëndrrat për “një ditë tjetër” dhe për të jetuar me vetëdije e mirënjohje. Le ta vlerësojmë këtë ditë e cila na kujton që e sotmja është një dhuratë, prandaj sot dhe çdo ditë tjetër, jetoni momentin, besoni në veten tuaj dhe krijoni kujtime që zgjasin një jetë.







