Për të gjithë adhuruesit e artit skenik, Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) vazhdon të ofrojë një program të larmishëm edhe në ditët e fundit të këtij muaji. Duke filluar nga sot, publiku do të ketë mundësi të ndjekë disa shfaqje të rëndësishme në TKK, që prekin tema sociale dhe historike, shfaqje këto që jepen nga ora 20:00.
Sonte jepet repriza e shfaqjes “Nyja e Gidionit”. Shfaqja, me regji të Hana Qenës, do të jepet në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë. Një dramë intensive që vë përballë mësuesen dhe nënën e një nxënësi, duke trajtuar përgjegjësinë dhe kompleksitetin e edukimit.
Pastaj më 25 dhe 26 shkurt, vjen shfaqja “Litari“. Një vepër që premton të mbajë publikun të mbërthyer pas skenës me dinamikën dhe mesazhet e saj.
Më 28 shkurt do të jepet repriza e shfaqjes “Kamarja e Turpit” me regji të Kushtrim Koliqit duke sjellë një reflektim të fuqishëm mbi pushtetin dhe historinë.
Teatri Kombëtar i Kosovës vazhdon të mbetet një nga pikat kryesore të takimit me kulturën, duke ofruar shfaqje që nxisin dialogun dhe reflektimin shoqëror.







