Galeria Kombëtare e Kosovës QAFA, ka publikuar katalogun e fundit të ekspozitës personale të artistit Blerim Racaj, të titulluar “To feel your mood like the weather”, kuruar nga Bardhi Haliti.
Gjatë dy dekadave të fundit, praktika fotografike e Blerim Racaj, është zhvilluar në forma të ndryshme që i rezistojnë kufizimeve. Ajo që në punën e tij të hershme dukej se i ngjasonte gjuhës së portreteve, tani më shumë anon nga diçka skulpturore, madje edhe arkitekturore. Në këto imazhe, forma nuk e kornizon vetëm realitetin, ajo e thellon atë dhe nganjëherë edhe e tret atë tërësisht. Një pjesë e madhe e ekspozitës buron nga pesë projektet kyçe: Kosovars (Kosovarët), Indecisive Moment (Moment Pavendosmërie), Ephemeral Notes (Shënime Kalimtare), Vend dhe Rruga B.
Si artist që jeton në Londër me rrënjë në Kosovë, Racaj zë një hapësirë të ndërmjetme, njëkohësisht i vendit dhe i huaj. Ai sjell këtë vetëdije të dyfishtë në punën e tij, ku kuadri bëhet i stërhollë, i qëllimshëm dhe gjithmonë i vëmendshëm.







