Menopauza ndodh zakonisht midis moshës 45 dhe 55 vjeç, kur ndalon cikli menstrual për shkak të uljes së prodhimit të hormoneve estrogjen dhe progesteron. Kjo fazë mund të shoqërohet me ndryshime fizike, emocionale dhe psikologjike, të cilat ndikojnë në cilësinë e jetës së gruas. Disa nga këto simptoma përfshijnë: valë të nxehta dhe djersitje të natës, pagjumësi e lodhje, ndryshime të humorit dhe ankth, shtim në peshë e ndryshime të tjera. ‘Dita Botërore e Menopauzës’, e cila shënohet sot më 18 tetor, synon të rrisë ndërgjegjësimin për shëndetin e grave gjatë dhe pas menopauzës si dhe të inkurajojë gratë të kujdesen për trupin dhe mirëqenien e tyre në këtë periudhë.
Sipas ‘Organizatës Botërore të Shëndetësisë’, çdo vit, rreth 25 milion gra hyjnë në periudhën e menopauzës, një fazë kjo natyrore e jetës, që shënon fundin e periudhës riprodhuese. Megjithatë, pavarësisht se është një proces biologjik i zakonshëm, menopauza mbetet ende një temë e nënvlerësuar dhe shpesh tabu në shumë shoqëri përfshirë edhe në shoqërinë tonë.