Në një kohë kur lajmet e ditës shpesh dominohen nga ato negativet, dhuna apo konfliktet, mirësia shpesh shihet si një luks emocional. Por në të vërtetë, ajo është një nevojë njerëzore. Studimet në psikologji tregojnë se aktet e mirësisë jo vetëm që përmirësojnë mirëqenien e atij që e merr, por edhe të atij që e jep. Një buzëqeshje, një falënderim, një dorë ndihme, të gjitha këto forcojnë lidhjet mes njerëzve dhe krijojnë një ndjenjë të përbashkët përkatësie. Data e sotme 13 nëntor, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Mirësisë”, dedikuar përhapjes së mirësisë dhe veprimeve, që sado të vogla janë, e bëjnë ndryshimin në jetën e njerëzve. Që nga viti 1998, kjo ditë frymëzon individë dhe komunitete në mbarë globin të veprojnë me zemër të hapur, duke ndihmuar të tjerët, duke shpërndarë buzëqeshje dhe duke ndërtuar ura mirëkuptimi.
Sot nuk është nevoja të organizohen aktivitete të mëdha për të shënuar ‘Ditën Botërore të Mirësisë’. Në fakt, kjo ditë nxit veprime të thjeshta, por me ndikim të madh, si p.sh.: Ndihmoni një të moshuar me qeset e pazarit. Shkruani një mesazh mirënjohjeje për një mësues, kolegu apo miku. Dhuroni libra, rroba ose ushqime për ata që kanë nevojë. Bëni një përpjekje të vetëdijshme për të dëgjuar me vëmendje dhe pa gjykim. Buzëqeshni fëmijëve në rrugë, etj.
Në ‘Ditën Botërore të Mirësisë’, le të kujtojmë se për të bërë ndryshimin nuk na duhen as pasuri të mëdha, as fuqi të jashtëzakonshme. Mjafton një zemër e hapur dhe një vullnet i mirë.







