Dimri po afrohet dhe është koha për të menduar edhe për sigurinë në rrugë! Nga 15 nëntori, në të gjitha rrugët e Kosovës, përdorimi i gomave dimërore bëhet i detyrueshëm, sipas rregullave të komunikacionit rrugor. Drejtuesit e automjeteve kanë edhe dy ditë kohë për t’i përgatitur veturat e tyre për sezonin e ftohtë. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 15 mars, me qëllim që të garantojë qarkullim më të sigurt gjatë periudhës së dimrit, kur rrugët mund të jenë të lagështa, me akull apo të mbuluara me borë.
Përveç ndërrimit të gomave, ekspertët rekomandojnë që shoferët të kontrollojnë edhe sistemin e frenimit, ndriçimin, vajin dhe sistemin e ngrohjes së automjetit. Mbani në mend, gomat e përshtatshme dimërore nuk janë vetëm çështje ligji, por mbi të gjitha çështje sigurie.
Radio KFOR ju kujton që të përgatitni veturat tuaja me kohë dhe të udhëtoni të sigurt, pavarësisht kushteve atmosferike!







