Rreth 12% e popullsisë globale janë të majtakë. Edhe pse kjo duket një përqindje e vogël, ajo përfaqëson miliona njerëz që ballafaqohen çdo ditë me pajisje, mjete pune apo sisteme që nuk janë dizajnuar për ta. Çdo vit, më 13 gusht, bota feston ‘Ditën Ndërkombëtare të Majtakëve’, një ditë për të vënë në pah veçantinë, sfidat dhe kontributin e njerëzve që përdorin dorën e majtë, si dorë dominuese. E krijuar për herë të parë në vitin 1976, Nga klubi i mëngjarashëve ‘Left-Handers Club’, në Mbretërinë e Bashkuar, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësim për përvojat e ndryshme që kanë majtakët në një botë të ndërtuar kryesisht për të djathtët.
Por të jesh i majtë nuk është vetëm një tipar fizik, është edhe një karakteristikë që shpesh lidhet me kreativitet dhe imagjinatë të zhvilluar. Shumë personalitete të njohura historike dhe moderne kanë qenë të majtë, përfshirë Leonardo da Vinci, Albert Einstein, Barack Obama, Oprah Winfrey, Lady Gaga dhe shumë të tjerë.
‘Dita Ndërkombëtare e Majtakëve’ është një thirrje për përfshirje. Në një botë ku shumica shpesh harron pakicën, kjo ditë na kujton që diversiteti është një pasuri. Të majtët janë një pjesë unike e këtij mozaiku njerëzor dhe meritojnë hapësirë të barabartë në dizajnin e botës që të gjithë ndajmë.







