Një nga ngjarjet më të dashura kulturore në Kosovë ‘Hardh Fest’, rikthehet këtë vit në qytetin e verës, në Rahovec, nga data 5 e deri më 7 shtator. Festivali i vjeljes së rrushit sjell traditën, muzikën dhe verën në një atmosferë që bashkon të gjitha gjeneratat, nën moton: “Për kokërr t’qejfit!”
Gjatë tri netëve, vizitorët do të kenë mundësi të përjetojnë ngjarje kulturore, degustime të verës dhe produkteve lokale, aktivitete për familje, ekspozita artizanale dhe koncerte me artistë vendorë e ndërkombëtarë.
Gjatë tre ditëve të festivalit do të performojnë artistë, si Aurela Gaçe, Tommy Cash e shumë të tjerë, duke sjellë një dozë unike muzike për publikun kosovar. Organizatorët kanë konfirmuar se hyrja në të gjitha aktivitetet e ‘Hardh Fest’ është falas, për të përfshirë sa më shumë qytetarë dhe vizitorë në këtë festë unike, që ndërthur kulturën bujqësore me argëtimin modern.
“Hardh Fest nuk është vetëm një festë e rrushit, por një përjetim i plotë i mikpritjes, pasionit dhe historisë së Rahovecit. Këtë vit duam të sjellim më shumë muzikë, më shumë verë dhe më shumë arsye për të festuar jetën”, – thuhet në njoftimin e organizatorëve të festivalit në fjalë.







