Për të gëzuar shëndet sa më të mirë të trurit, duhet të kemi ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar, aktivitet fizik të rregullt, gjumë të mjaftueshëm, mësim dhe ushtrime mendore, siç janë leximi, zgjidhja e enigmave, parandalimi i stresit dhe depresionit dhe e fundit, por jo nga rëndësia, shmangia e alkoolit dhe duhanit.
‘Dita Botërore e Trurit’ (World Brain Day) çdo vit shënohet me datën më 22 korrik, dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit të trurit si dhe për sëmundjet neurologjike që prekin miliona njerëz në mbarë botën.
Kjo ditë u krijua nga Federata Botërore e Neurologjisë (WFN) në vitin 2014, për të promovuar edukimin dhe informimin rreth trurit dhe sëmundjeve neurologjike.
Qëllimet kryesore të ‘Ditës Botërore të Trurit’, janë që të rritet ndërgjegjësimi për sëmundjet e trurit, si: Sëmundja e Alzheimerit, parkinsoni, epilepsia, skleroza e shumëfishtë, goditja në tru, të promovohet kujdesi neurologjik dhe kërkimi shkencor, të edukohen njerëzit për mënyra për të ruajtur shëndetin e trurit, etj.







